Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ua prezantojë idenë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ShBA-së dhe BE-së.
Ai në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit, tha se tashmë është e ditur se ShBA nuk kërkon Asociaicon që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Mendoj që kemi problemin e statutit të Asociacionit që u bë shumë zhurmë, nuk e kuptoj pse u dashka me u bë gjithë ajo zhurmë që është ardhur një dokument nga Serbia. Atë e ka emëruar Qeveria e Kosovës, sepse e ka obliguar marrëveshja e 2013-tës, atë e ka asistuar Qeveria e Serbisë. Qeveria e Kosovës duhet ta ketë ofertën për BE-në dhe ShBA-në. Nga ajo që kam dëgjuar se qëndrimet e BE-së dhe ShBA-së që gjithçka të vendoset konform Kushtetutës së Kosovës. Në këto përplasje më shumë po kontribuojmë që serbët në veri të krijojnë mosbesim ndaj shtetit tonë”, tha ai.
Haliti tha se bojkoti i serbëve në zgjedhjet e katër komunave veriore ishte mesazh viktimizues për bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas tij, ata kanë tentuar që t’i bindin ndërkombëtarët që Kosova po dëshiron t’i mbajë dhunshëm zgjedhjet.