I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas vizitës të së enjtes në veri të Kosovës, ku u takua me përfaqësuesit serbë të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e Listës Serbe, ka deklaruar se është i shqetësuar me ato që i ka dëgjuar.
Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se duhet të shmanget çdo mundësi e përshkallëzimit të situatës dhe të dyja palët të fokusohen plotësisht te normalizimi i marrëdhënieve.
“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm, në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të fokusohemi plotësisht te normalizimi”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, të enjten e 11 majit, emisari i BE-së Lajçak ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai është takuar paradite me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pastaj ka vizituar komunën e Mitrovicës, ku është takuar me kryetarin Bedri Hamza.
Ai ka thënë se vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në dialog.
“Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut, prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet të merret në dialog. Gjithçka është në dorën e dy palëve. Unë dua që hapja e Urës të jetë kontribut për stabilitet të madh e jo për destabilitet të madh”, ka thënë ai, teksa ka përsëritur që dialogu duhet të përdoret si platformë për marrëveshje.
Lajçak “pret” të zgjidhet çështja e mandatit të kryetarëve në komunat veriore