Bashkimi Evropian në një deklaratë për media ka njoftuar se është në dijeni për vendimin preliminar të miratuar nga Qeveria e Kosovës për shpronësime të pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut, për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik.
BE-ja ka konsideruar se themelimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga institucionet.
“Çdo shpronësim është i ndjeshëm për nga natyra, prandaj procedurat ligjore parashikojnë hapa të tillë si njoftimi i avancuar dhe informacioni gjithëpërfshirës i pronarëve të pronave, e drejta e tyre për të paraqitur komente mbi shpronësimin e kërkuar, mundësia e një mjeti të përshtatshëm juridik dhe kompensimi adekuat i tyre përpara se procesi të çohet në përfundimin e tij”, thuhet në deklaratën nga Zyra e BE-së.
Po ashtu, BE-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe “se të drejtat pronësore të pronarëve të prekur dhe mbajtësve të interesit respektohen plotësisht”.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes kishte miratuar këtë vendim preliminar.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se Qeveria Kurti “po vazhdon të zbatojë planet e veta për dëbimin e serbëve nga vatrat shekullore”.
Zëvendësministri i Ambientit dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, ka thënë të enjten se Qeveria më 2 shkurt kishte miratuar vendimin për shpronësim, ndërsa pas atij vendimi janë mbajtur dëgjimet publike.