“Nuk mundem ta përshkruaj emocionin që e kemi përjetuar mbrëmë. Ne kemi punuar shumë për t’i gëzuar këto rezultate, kështu që jemi të lumtur edhe për gjithë mbështetjen e shqiptarëve që na kanë dhënë. Votat e njerëzve që na deshën, na dërguan në finale e na bënë të përjetojmë këtë ndjenjë të madhe”.
Kështu ka thënë në një lidhje telefonike për “DUK’AT” në Radio Dukagjini, këngëtarja e cila së bashku me familjen po e përfaqëson Shqipërinë në garën e këngës “Eurovision”, në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar.
Një familje prej pesë antarësh të shoqëruar nën tingujt e “Duje” në skenën magjike të “Eurovision”, qenë të parët të kualifikuar për në finalen e kësaj gare, mbrëmjen e së enjtes. E kombinuar mjeshtërisht me vokalin, ngjyrat kuq e zi të skenës dhe simbolet shqiptare, Albina dhe familja Kelmendi dhuruan një spektakël të paharrueshëm.
Ndërkaq, një ditë para finales së madhe, është vokalistja kryesore e grupit, Albina, ajo e cila ka treguar se e sotmja do të shërbejë si ditë provash.
“Ne jemi një ditë para finales. Tani veç erdhëm te skena, jemi në autobus dhe po presim të dalim jashtë për t’i vazhduar provat siç i kemi pasur deri tash. Tani ka ndryshuar renditja, jemi të dhjetit me radhë, jemi në pjesën e parë të finales. Do të ketë prova se si do të shkojë renditja e këngëve, përgatitja e stafit të Eurovisionit, prandaj edhe bëhet kjo provë. E kemi provën e mëngjesit dhe atë të pasdites”, ka treguar ajo.
Albina Kelmendi ka treguar se së bashku me familjen, ndjenja se do mbështeteshin nga populli shqiptar ishte më se evidente.
Këngëtarja nga Kosova ka performuar e 14-ta në gjysmëfinalen e dytë, me qëllim kalimin në finalen e së shtunës. Ndërkaq, në finale Albina dhe familja Kelmendi do të performojnë të dhjetit.
Pritjet janë se Albina dhe familja Kelmendi do të vazhdojnë të shkëlqejnë në fazën finale, duke përfaqësuar me krenari muzikën shqiptare dhe duke shënuar suksesin e tyre në garën prestigjioze të Eurovisionit 2023.