Avokati mbrojtës i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, Tom Gashi, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, pas parashtrimit të një ankese në Gjykatën Supreme për Nagip Krasniqin, ka thënë se fillimisht është parashtruar një ankesë e Gjykatës së Apelit, e cila sipas Gashit është aprovuar pjesërisht, dhe i ka hequr dy prej arsyejeve prej të cilave është përcaktuar paraburgimi.
“Ka mbetur tani vetëm një arsye, të themi në gjuhën e thjeshtë, dhe sipas Gjykatës së Apelit, arsyeja pse Nagip Krasniqi është në paraburgim ende është kinse mundësia e ndikimit në dëshmitar”, ka thënë Gashi.
“Unë kam dërguar një ankesë në Gjyaktën Supreme, tani po presim që sa më shpejt të jetë e mundshme që të vendos Gjykata Supreme, shpresoj që të aprovoj”, ka thënë tutje ai.
Gashi ka shtuar tutje se Nagip Krasniqi nuk ka asnjë arsye që të ndikojë në këta dëshmitarë që janë të punësuar në Korporatën Energjetik të Kosovës (KEK).
Derisa ka theksuar se dëmtimi i buxhetit është zero.
“Nëse e marrim atë pompozitet që prokurorja e rastit e ka paraqit një kërkesë për paraqitjen e masës së paraburgimit, e ka bo film. Kështu ajo fillimisht ka shkruar në kërkesën e saj që është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës sipas saj 3.4 milion euro… Nagip Krasniqi nuk ka asnjë arsye të qëndroj në paraburgim…”, ka potencuar avokati Gashi.