Mediume të ndryshme në vend, kanë raportuar se Kosova, për nevoja të FSK-së ka blerë 3 dronë të tipit bajraktarë, e të tjera kanë raportuar se bëhet fjalë për 5 të tillë.
Por raportimet, mbetën pa u konfirmuar ndonjë herë nga Ministria e Mbrojtjes, edhe në tentimin e televizionit për të marrë përgjigje nga ky dikaster.
Megjithatë, për ta u fol edhe në studio televizive nga pushteti e opozitë, e u ngritën shumë dilema.
Deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri dhe atij për mbikqyrje të AKI-së, ka shprehur pakënaqësitë e tij për raportimin për këtë temë.
Arbër Rexhaj, deputet i LVV-së ka thënë se “Prej burimeve ndërkombëtare nuk është dasht me u bo lajm sepse kjo nuk i bën nder Republikës së Kosovës, sepse kemi një pozicion të tillë ku blerjet në fushën e sigurisë ne nuk mund t’i proklamojmë me të madhe ani pse ato bëhen vazhdimisht, në formë konsistente dhe si kurrë më parë … Deri sa ka ardhë puna më fol për dronët në Qeverinë Kurti kjo është shumë shenjë e mirë”.
Ndërsa Xhavit Haliti i PDK-së, u shpreh se pavarësisht nëse janë blerë ose jo, ato nuk do të mund të fluturojnë pa një leje nga dikush tjetër.
Xhavit Haliti, deputet i PDK-së ka thënë se “Bën shkelje të ligjit nëse e ngrit një dron pa leje të KFOR-it, kjo është situata në Kosovë dhe psh për dronët që po flasim, ata kërkojnë specialistë të fushës për drejtimin e tyre, në qoftë se duhet të marrën armët, nuk e di a kanë marrë armë apo vetëm duan ta kontrollojnë kufirin, besoj që kanë arritë marrëveshje edhe me KFOR-in, dhe besoj që ma shumë janë të përdorshëm për kontrollimin e kufirit sesa mund të arrijmë për me pasë raketa në ta”.
Nga ana tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë teksa pohon se edhe dronët e edhe pjesa tjetër e armatimit përfshihet në tranzicionin e FSK-së në ushtri, thotë se i rëndësishëm është trajnimi për përdorim të tyre.
Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë, ka thënë se “Edhe Kuvendi edhe Qeveria ka miratuar një buxhet për FSK-në me rritje që po përmbush aspektet e furnizimit, të duhur konform asaj sepse kjo realisht kërkon edhe trajnim, për këto paisje dhe armatik luftarak, nuk shkon ajo vetëm të furnizohemi, e kemi parë në Ukrainë, ka armatim të bollshëm mirpo një kohë të gjtaë e merrë trajnimi”.
Ushtria e Kosovës, gjatë këtij viti ka në dispozicion buxhetin më të lartë të ndarë ndonjë herë, me gjithsej 100 milionë euro, 30 milionë prej tyre të dedikuara veç për armatim.