Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë, ka deklaruar administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power.
Këtë deklaratë ajo e bëri në një konferencë për media, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Power theksoi se aktualisht është e rëndësishme që palët të përqendrohen në detyrimet që dalin nga Marrëveshja për normalizmin e marrëdhënieve, siç është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Përqendrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është në zbatimin e kornizës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Gjithmonë ka qenë qëndrim i Shteteve të Bashkuara se kjo duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë dhe natyrisht ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë. Por, tani për tani kemi një përqendrim të posaçëm në rëndësinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe rëndësinë e kthimit të serbëve të Kosovës në institucione, sa më parë që të jetë e mundur”, tha Power.
Ajo theksoi se përparimi në çështjet si themelimi i Asociacionit do të hapte rrugë për përparim në shumë çështje të tjera dhe se për këtë ekziston uniteti i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“E kemi bërë të qartë përmes [këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek] Chollet dhe [të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar, i kemi cekur cilat janë parimet, dhe besoj që çdo asociacion duhet t’i përmbahet atyre kushteve. Kemi besimin që me sinqeritet këto çështje të zgjidhen në mënyrë specifike, dhe të ndihmojnë në përparim, dhe mund të bëhen avancime të mëdha në ditët në vijim”, tha Power.
Këto deklarata, Samantha Power i bëri gjatë ditës së dytë të vizitës së saj në Kosovë, para së cilës ajo vizitoi edhe Serbinë.
Gjatë vizitës në Kosovë, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Power bëri hapjen e ankandit të parë të Kosovës për një park të energjisë diellore me kapacitet prej 100 megavatësh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa dhe pa kushte.
“Janë 11 nene në marrëveshjen bazë, 12 pika në aneksin e zbatimit dhe kjo duhet të ketë zbatim të plotë, pa vonesa dhe pa kushte. Kjo është ajo që do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel”, tha kryeministri Kurti.
Takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut Kosovë –Serbi do të pritet të zhvillohet më 15 maj, në nivel të kryenegociatorëve.
Siç është paralajmëruar, në fokus të takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj për zbatim, për të cilat dy shtete u pajtuan më 27 shkurti në Bruksel dhe më 18 marsit në Ohër. /REL