Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të takohet mëngjesin e së shtunës me administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power.
Takimi pritet të nisë në orën 8:00, me ç’rast, mediat do të marrin pamje në fillim të takimit.
Ndërkaq, pas këtij takimi, Osmani dhe Power do të deklarohen për media.
Gjatë së premtes, Power u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Kryeministri Kurti, pas takimit me administratoren e USAID-it Samantha Power, bëri të ditur se kanë diskutuar për sigurinë energjetike, tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Gjatë drekës së punës dhe takimit në kryeministri folëm për sigurinë energjetike, tranzicionin energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm, por edhe për zhvillimet e fundit në vend, për qeverisjen, themelimin e Fondit Sovran e për Marrëveshjen Bazike arritur në Bruksel, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruan Kurti.
Kurti është shprehur se “nga fjalët në vepra”, së bashku me administratoren Power dhe ministren Rizvanolli kanë lansuar ankandin e parë të energjisë solare me kapacitet prej 100 megavatësh.