Procesi i votimit në Turqi tashmë është mbyllur ku edhe pritet numërimi i votave.
Gjithsej janë 191 mijë e 884 kuti votimi në 1 mijë e 94 komitete zgjedhore në të gjithë Turqinë.
Sipas shifrave zyrtare, në zgjedhjet e 14 majit kanë të drejtë të votojnë më shumë se 64.1 milionë njerëz, shkruan DW.
Midis tyre, më shumë se 3.4 milionë jetojnë jashtë vendit. Për sa i përket peshës, votat e nga jashtë vendit vijnë kështu në vendin e katërt pas metropoleve më të mëdha turke Stamboll, Ankara dhe Izmir. Votimi jashtë vendit filloi më 27 prill.
Në zgjedhjet e vitit 2018, pjesëmarrja në Turqi ishte mbi 86%, ndërsa jashtë saj ishte rreth 50%.
Me rreth 53%, Erdogani fitoi presidencën në raundin e parë në 2018 dhe aleanca e tij elektorale mori pothuajse 54% të votave të vlefshme në Turqi. Jashtë vendit, Erdogani dhe aleanca e tij elektorale kanë pasur më shumë sukses, të dy duke fituar më shumë se 60% në mesin e turqve që jetojnë jashtë vendit.
Në Turqi është votuar të dielën për një parlament dhe president të ri.
Pas 20 vitesh, presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan nuk është favorit i qartë në garë. Sipas sondazheve, edhe aleanca e tij elektorale është prapa aleancës së opozitës.
Kush kandidon për president?
Ka katër kandidatë për zgjedhjet presidenciale. Presidenti në largim Rexhep Tajip Erdogan dhe sfiduesi i tij Kemal Kilicdaroglu ndodhen në një garë gjoks më gjoks.
Sipas shumë sondazheve, kandidati i aleancës më të madhe opozitare, Kilicdaroglu, është madje në krye, gjë që e bën Erdoganin dhe kampin qeveritar gjithnjë e më nervoz.
Vlerat e mbështetjes për dy kandidatët e tjerë variojnë nga 2 në 6%. Kandidatura e tyre bën që presidenti do të përcaktohet vetëm në raundin e dytë.
Cilat janë aleancat?
Tri aleanca zgjedhore luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet legjislative; “Aleanca Popullore” e Erdoganit, “Aleanca e Kombit” e bllokut më të madh opozitar dhe “Aleanca e Punës dhe Lirisë” e udhëhequr nga HDP pro-kurde.
Përveç AKP-së, Aleanca Popullore e Erdoganit ka përfshirë prej vitesh ultra-nacionalistët MHP dhe BBP. Aleancës së fundmi iu bashkua “Partia e Mirëqenies së Re”, që buron nga ideologjia islamike Milli Görüs. Veç kësaj aleanca e Erdoganit mbështetet nga partia islamike radikale pro-kurde HÜDAPAR, e afërt me organizatën terroriste turke Hezbollah. Disa komunitete myslimane ortodokse me shumë anëtarë gjithashtu bëjnë hapur publicitet për Erdoganin dhe aleancën e tij, pasi gëzojnë shumë privilegje nën presidentin Erdogan dhe rrezikojnë t’i humbin ato përndryshe.
Aleanca më e madhe opozitare përbëhet nga gjashtë parti me prejardhje shumë të ndryshme politike. Kandidati presidencial i saj, Kemal Kilicdaroglu, i cili dinte t’i bashkonte, gëzon respektin e shumë kritikëve të qeverisë. Për Kiliçdaroglun është edhe aleanca kurdo-socialiste “Aleanca për Punë dhe Liri”.
Kryesorja në këtë aleance të tretë është partia pro-kurde HDP. Kundër saj është në vazhdim një proces gjyqësor për ta ndaluar. Mijëra anëtarë të saj janë në burg për terrorizëm dhe pothuajse të gjithë kryebashkiakët e HDP-së janë shkarkuar.
Ish-kreu i partisë Selahattin Demirtas, i burgosur prej shtatë vjetësh në një burg të sigurisë së lartë zhvillon një fushatë efektive nga burgu kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij. Ai i dërgon mesazhet e tij publikut përmes avokatëve të tij, të cilat gjithashtu përcaktojnë pjesërisht zhvillimin e fushatës zgjedhore, veçanërisht në lidhje me çështjen kurde.
Sipas autoritetit zgjedhor turk, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe legjislative kanë të drejtë të votojnë 167.000 sirianë.
Kjo pasohet nga 23.000 vetë nga Afganistani, 21.000 vetë nga Irani, 16.000 vetë nga Iraku dhe 6000 vetë nga Libia.
Me përjashtim të HDP-së pro-kurde, të gjitha partitë konkurrojnë me një premtim zgjedhor për t’i kthyer refugjatët sa më shpejt të jetë e mundur andej nga kanë ardhur.