Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të dielën e 14 majit, është nisur drejt Brukselit, ku një ditë më pas në kuadër të dialogut do të takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Në fokus të takimit do të jetë zbatimi i sekuencuar i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në njoftim.
Takimi i radhës në Bruksel në mes të dy kryenegociatorëve ishte bërë e ditur nga Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në takimin e fundit në mes të dy palëve të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtim për deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë.
Njëherit, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, draft ky i cili u refuzua nga Qeveria e Republikës së Kosovës.