Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Ylfete Fanaj, e cila është zgjedhur ministre kantonale, duke u bërë kështu si ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se me Fanajn nuk i bën bashkë vetëm origjina, por edhe orientimi socialdemokrat.
“Shqiptarja e parë deputete në Parlamentin e Kantonit të Luzernit dhe e para që udhëhoqi me Parlamentin e këtij Kantoni, Ylfete Fanaj, sot u bë shqiptarja e parë ministre në qeverinë kantonale të Luzernit. E ky nuk ishte urimi i parë për znj.Fanaj, dhe duket se nuk do të jetë i fundit”.
“I dëshiroj suksese në detyrën e re dhe punë të palodhshme përballë përgjegjësive të reja. Me të nuk na bën bashkë vetëm origjina, por edhe orientimi socialdemokrat. Andaj edhe bashkëpunimin e kemi detyrim, përveçse interes të përbashkët”, shkroi Kurti.
Sipas kreut të ekzekutivit, si pionere shqiptare në politikë, të arriturat e Fanajt janë inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën në Zvicër, e cila sipas Kurtit për shumë vite tani i shërben me besnikëri shtetit zviceran.