Presidenti i Shri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, të premten mbrëma ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, pas protestave dhe grevës së përgjithshme ku u mbyllën shkollat, bizneset dhe shërbimet e transportit.
Gjendja e jashtëzakonshme do të lejojë arrestimin e protestuesve që bllokojnë rrugët. Masa duhet të miratohet nga parlamenti i Shri Lankës brenda 14 ditëve.
Vendi është tronditur nga trazira civile që nga marsi, me protesta që nganjëherë kthehen në të dhunshme ndërsa zemërimi rritet për keqpërdorimin e dukshëm të krizës ekonomike të vendit nga ana e qeverisë.
Të premten e gjashtë majit, policia kishte hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve pranë parlamentit të vendit në kryeqytetin kombëtar të Colombo-s.
Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend nuk është pritur mirë nga opzita.
Udhëheqësi i opozitës, Sajith Premadasa ka deklaruar se masa “bie ndesh me kërkimin e ndonjë zgjidhjeje për krizën”.
Presidenti Rajapaksa më parë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 1 prill, por e ktheu atë pas pesë ditësh.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Rajapaksa-s, të frustruar nga rritja e çmimeve të ushqimit, karburantit dhe nevojave të tjera pasi qeverisë i mbarojnë paratë.
Ndërsa shumë qytetarë janë detyruar të kalojnë orë të tëra në vapën e zjarrtë për të mbushur rezervuarët e tyre në pikat e karburantit ose për të marrë furnizime me ushqime dhe ilaçe.
Këtë javë, ministri i financave të Shri Lankës, Ali Sabry, pranoi se rezervat financiare të vendit janë thuajse bosh, kurse qeveria i ka bërë thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar për financim emergjent, përcjell CNN.