Në Bruksel të hënën vazhdon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me takimin e kryenegociatorëve të të dyja shteteve. Fokusi i takimeve do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të saj.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, fillimisht do të kenë takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, e më pas do të ketë takim të përbashkët.
Takimet janë paraparë të nisin në mëngjes, ndërkaq kohëzgjatja e tyre do të varet nga ecuria e diskutimeve.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në fokus të takimit do të jetë zbatimi i sekuencuar i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë takimit pritet të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit, raporton REL.
I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, ka shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.
Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.