Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova ka obligim që ta hartojë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ambasadori gjerman ka thënë se vizioni nuk është draftstatut dhe se vetëm me ide konkrete mund të përshpejtohet procesi për më tutje.
“Versioni më i mirë, drafti më i mirë për Kosovën, mund të hartohet nga vetë Kosova. Kosova duhet ta përgatisë draftin, një vizion nuk është draft, kështu që na duhet një draft nga Kosova së shpejti që ta shohim se çfarë ide konkrete ka për Asociacionin. Ky është obligimi i Kosovës që ta përshpejtojë procesin”, ka thënë Rohde pas takimit me anëtaret e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Ndërsa i pyetur për kompaninë Visametric, operatori që detyronte aplikuesit për vizë të Gjermanisë që të paguanin shërbim postar për kthim të pasaportës, në vlerë prej 30 eurosh, Rohde nuk dha ndonjë koment./EO