Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) ka publikuar të martën raportin vjetor për gjendjen e lirisë fetare në botë gjatë vitit 2022.
Në parathënien e raportit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vë në dukje se vazhdojnë kufizime domethënëse nga Qeveritë në mbarë botën ndaj praktikave fetare, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike në kërkim të lirisë së besimit.
Raporti përmban kapituj të veçantë për gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në raportin për Kosovën thuhet se megjithëse Kushtetuta e vendit ndalon diskriminimin fetar dhe garanton lirinë e besimit, legjislacioni i vendit nuk ofron mundësinë për grupet fetare që të fitojnë status ligjor.
Në raport, përmenden rastet ku pati raportime për diskriminim.
“Policia i ndaloi Kishës Ortodokse Serbe mbajtjen e liturgjisë në një kishë të kontestuar dhe në disa shkolla të vendit vazhdoi zbatimi i një udhëzimi të Qeverisë për ndalimin e veshjeve fetare, duke ua ndaluar kështu qasjen në mësimdhënie nxënësve që mbajnë hixhab. Pati raportime për diskriminim edhe në vende publike apo në mjediset e punës ndaj grave myslimane që mbajnë veshje fetare”, thuhet në raport.
Tutje thuhet se Qeveria e Kosovës vazhdon të mos zbatojë një vendim të gjykatës së vitit 2016 për njohjen e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe të zonës përreth Manastirit të Deçanit, ndërsa Kisha Protestante Evangjeliste e Kosovës, Dëshmitarët e Jehovait dhe grupe të tjera thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për varreza të dedikuara ua mohoi të drejtën e varrimit sipas besimit të tyre.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë vazhdon ta inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të hartojë legjislacionin që do t’u mundësojë grupeve fetare marrjen e statusit ligjor që do të krijonte mekanizmat për të mbrojtur lirinë e besimit dhe do të zgjidhte mosmarrëveshjet për pronësinë. Në një prej takimeve ndërfetare të Ambasadës amerikane, për herë të parë u përfshinë drejtues të tarikateve, bektashinjve dhe të tjerë”./VOA