Ish-zëvëndësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se fenomeni i terrorizmit është gjithmonë në lëvizje dhe nuk të jep sigurinë e “çrrenjosjes”.
“Por mund të jetë në kontroll, duhet të ngrihen kapacitetet e vendit për preventivë”, ka thënë Hoxha.
“Në kohën kur ish-zëvëmdësministër dhe koordinator nacional kundër terrorizmit ka pasur raporte ndërkombëtare që ky fenomen është në kontroll, madje ka veprime operacionale shumë të sukseshme të mekanizmave të sigurisë së vendit”, ka thënë tutje Hoxha.
Hoxha ka shtuar se Policia e Kosovës ka të ndërtuar mekanizma brenda saj, konkretisht Drejtorinë kundër Terrorizmit, e cila ka të kryer trajnime profesionale në koordinim të ngushtë me partnerët nderkombëtarë.
Gjatë kësaj të marteje, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit pesë të dyshuarve, E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H për shtytje në terrorizëm, secilit nga një muaj.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H, për shkak të veprave penale ‘Shtytja për kryerjen e veprave terroriste’ nga neni 134 lidhur me nenin 31 dhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.B, L.B, B.V, A.S dhe A.H e ka aprovuar dhe të njëjtëve u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin. Paraburgimi u është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1, pika 1.1 si dhe 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pesë të dyshuarit që u arrestuan të hënën e 15 majit, nën dyshimin për vepra terroriste, të martën janë sjellë në pranga në Gjykatën Themelore të Prishtinës.