Shkrimtari i njohur, Salman Rushdie, mbajti një fjalim publik, nëntë muaj pas sulmit me thikë, duke paralajmëruar se liria e shprehjes në Perëndim është nën kërcënimin më të rëndë ndonjëherë.
Rushdie foli përmes një mesazhi me video gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të librit britanik, ku ai mori çmimin “Freedom to Publish” mbrëmjen e së hënës.
Organizatorët thanë se çmimet vlerësojnë vendosmërinë dhe qëndrimin e autorëve, botuesve dhe librashitësve kundër intolerancës, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme me të cilat përballen.
75-vjeçari Rushdie dukej më i dobësuar se para sulmit dhe mbante syze me një xham me ngjyrë. Pas sulmit me thikë në qytetin e Nju Jorkut në muajin gusht, Rushdie humbi shikimin në syrin e djathtë dhe pësoi dëmtime nervore në dorë.
I dyshuari për sulmin, Hadi Matar, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për sulm dhe tentativë për vrasje.
Rushdie tha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve se, “ne jetojmë në një moment, mendoj unë, në të cilin liria e shprehjes, liria e botimit në Perëndim nuk ka qenë nën një kërcënim të tillë në jetën time”.
“Ndërsa jam në Shtetet e Bashkuara, kemi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj bibliotekave dhe librave për fëmijët. Vetë ideja ndaj sulmit të bibliotekave është jashtëzakonisht alarmante, dhe duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe të luftojmë fuqishëm kundër këtij fenomeni”.
Rushdie kaloi vite të tëra në fshehtësi nën mbrojtjen e policisë, pasi Ajatollahu Ruhollah Khomeini i Iranit lëshoi një dekret në vitin 1989, me thirrjen për vdekjen e tij lidhur me publikimin e romanit “Vargjet Satanike”.
Gradualisht, ai iu rikthye jetës publike, pasi qeveria iraniane u distancua nga urdhri në vitin 1998, duke thënë se nuk do të mbështeste asnjë përpjekje për të vrarë Rushdie, megjithëse dekreti nuk u shfuqizua kurrë zyrtarisht.
Rushdie fitoi çmimin Booker në vitin 1981 me romanin “Midnight’s Children” (Fëmijët e Mesnatës) dhe në vitin 2008 u votua si fituesi më i mirë ndonjëherë i çmimit prestigjioz të letërsisë artistike. Romani i tij më i fundit, “Victory City” (Qyteti i Fitores), i përfunduar një muaj para sulmit, u botua në shkurt./VOA