Ndërmarrja Publike Banesore ka mohuar se Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e saj të mërkurën e 17 majit.
Arbnor Neziri, nga kabineti i kryeshefit të NPB-së, ka konfirmuar që nuk ka pasur bastisje në objektin e ri të kësaj ndërmarrjeje, por vetëm te shtëpitë e ish-kryeshefave të NPB-së.
“Mund të konfirmojmë që nuk ka bastisje te zyrat e NPB-së. Mund të ketë edhe siç jam informuar në media tek ish-menaxhmenti i ndërmarrjes”, ka deklaruar Neziri, teksa shton se “nuk kemi informacione të sakta për numrin e zyrtarëve dhe as nuk kemi informacion zyrtar nga policia”.
Policia është duke kryer bastisje në disa lokacione në Prishtinë e Podujevë.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se nga mëngjesi i hershëm i së mërkurës janë duke u zhvilluar tri aksione nga drejtori të ndryshme të Policisë së Kosovës.
Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se krimet ekonomike në Ndërmarrjen Publike Banesore, Krimet e Rënda janë duke zhvilluar aksione kundër fajdeve dhe Krimet Kibernetike për mashtrimet me kartela bankare.
“Angazhimi ndaj çdo lloj krimi do të intensifikohet, përgëzoj Departamentin e Hetimeve për secilin rezultat të arritur”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, të mërkurën, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është duke zhvilluar një aksion kundër fajdesë.
Në këtë aksion thuhet se janë kontrolluar shtëpi dhe lokale në rajonin e Prishtinës dhe të Podujevës, me ç’rast janë ndaluar katër persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi”, “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi te paligjshëm” dhe “Shmangie nga tatimi”.