Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me nënkryetarin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilin, ka biseduar edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti ka deklaruar të mërkurën se Marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, si dhe Aneksi i saj, i arritur në Ohër, duhet të zbatohen shpejt, në tërësi dhe pa kushtëzime.
Ndërsa, zëvendëspresidenti Wieland ka nënvizuar progresin e dukshëm të Kosovës në krahasim me rajonin, gjë që tha se nuk kalon pa u vënë re.
“Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin rajonal, integrimin ekonomik të rajonit dhe marrëdhëniet fqinje, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Lidhur me këtë të fundit, kryeministri tha se Marrëveshja Themelore e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksi i saj i 18 marsit në Ohër të zbatohet shpejt, plotësisht dhe pa kushte”, ka njoftuar ZKM-ja përmes një komunikate.
Kryeministri Kurti e ka falënderoi Wieland për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian në procesin integrues në Bashkimin Evropian dhe afirmimin e shtetit të Kosovës.
Ndër të tjera, në njoftimin e ZKM-së, duke theksuar “përkushtimin në prioritetet e Qeverisë për punë dhe drejtësi”, Kurti ka përmendur rezultatet dhe progresin në dy vitet e qeverisjes, “të cilat janë evidentuar, përveç raporteve tjera ndërkombëtare, edhe nga vetë raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën që është publikuar së fundmi”.