Ambasadori amerikan në vend, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të shmanget çdo konflikt dhe përplasje që çon në rritjen e tensioneve me betimin e kryetarëve të rinj në veri.
Hovenier, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Amerika nuk mendon se është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave.
“I kam bërë disa komente edhe gjatë ditës së djeshme, të njëjtat i diskutova edhe sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se kjo gjë duhet të ndodhë në një mënyrë që shmang konfliktet dhe përplasjet që mund të çojnë në rritjen e tensioneve në veri”.
“Ne jemi për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë të mirë, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, u shpreh Hovenier, shkruan EO.
Ndryshe, më 23 prill, në komunat veriore të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.
Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
Kryetarët e sapozgjedhur për komunat veriore të Kosovës – të gjithë të partive shqiptare – duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.