Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër persona janë lënduar nga aksidenti në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, më saktësisht në fshatin Mazgit.
Siç ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, të lënduarit kanë marrë trajtim trajtimin e nevojshëm mjekësor, përderisa janë shkaktuar dhe dëme materiale.
Po ashtu, e përfshirë në këtë aksident ka qenë edhe një veturë e policisë.
“Rreth orës 15:15, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në hyrje të autostradës në fshatin Mazgit. Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë dy automjete njëra nga to veturë zyrtare”, ka thënë ai për Dukagjinin.
Po ashtu, njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.
Ndërkohë, radhët e gjata të automjeteve në fshatin Mazgit po vazhdojnë edhe tani pas aksidentit.