Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në prezantimin e Raportit monitorues të EULEX-it për lirimin me kusht të të dënuarve në Kosovë.
Ajo theksoi rëndësinë e një sistemi të drejtësisë të besueshëm, të pavarur dhe profesional.
Ministrja Haxhiu tha se ministria që ajo e drejton është e përkushtuar në përmirësimin e mekanizmave për lirimin me kusht të të dënuarve dhe rikthimin e tyre në shoqëri.
Sa i përket lirimit me kusht të të dënuarve, tha ministrja Haxhiu, nuk është vetëm një proces ligjor, por edhe njerëzor, sepse konsiderohet duke marrë parasysh si sjelljen dhe korrektimin e të dënuarit ashtu edhe sigurinë publike dhe interesat e institucionit.
“Sistemi i drejtësisë në vendin tonë, nuk synon vetëm të ndjekë të dënuarit dhe t’i dënojë ata për vepra penale, por gjithashtu mëton të ofrojë mundësi dhe shpresë për rikthimin e tyre në shoqëri dhe për këtë Ministria e Drejtësisë është e vendosur të sigurojë se të gjithë të dënuarit, që kanë të drejtë sipas ligjit, të kenë mundësi të përfitojnë nga programet dhe iniciativat që ndihmojnë në rikthimin e tyre në shoqëri, duke u dhënë një shans për të ndryshuar jetën e tyre dhe për të ndikuar në shoqërinë tonë pozitivisht” tha ministrja Haxhiu.
Në mbyllje të fjalimit të saj, ministrja Haxhiu tha se lirimi me kusht i personave të dënuar duhet të bëhet në përputhje me ligjin, në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe për këtë, Ministria e Drejtësisë do të mirëmbaj dhe të avancoj më tej mekanizmin për lirimin me kusht të të dënuarve, gjë për të cilën rekomandimet e dala nga ky raport dhe bashkëpunimi me të gjithë akterët relevant do të konsiderohen me prioritet.