Senatori amerikan, Bob Menendez ka ngritur pikëpyetje lidhur me vlefshmërinë e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, duke pasur parasysh faktin që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë nënshkruar atë.
Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se as Kosova e as Serbia nuk po angazhohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”, u përgjigj Chollet.
Ai shtoi se për SHBA-në, pavarësisht se marrëveshja nuk është e nënshkruar, ajo është ligjërisht e obligueshme.
Një ditë para paraqitjes së tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Chollet zhvilloi biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Me të dy zyrtarët, Chollet bisedoi për dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ndërsa porositi palët që të vazhdohet puna e rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe duke kërkuar nga palët që t’i shmangin provokimet.