Rajoni italian Emilia Romanja do të rimëkëmbet nga vërshimet shkatërruese të kësaj jave, duke i marrë parasysh mësimet e mësuara nga tërmeti i vitit 2012, ka thënë guvernatori rajonal, Stefano Bonaccini, të premten.
Numri i të vdekurve, si pasojë e vërshimeve – të shkaktuara nga reshjet e shiut – ka arritur në 14.
“Nëse ekziston një mësim që e kemi marrë prej tërmeteve, është se në çdo situatë emergjente duhet rindërtuar shpejt”, ka thënë ai.
“Asgjë nuk do të na ndalë”, ka thënë guvernatori, duke iu referuar bizneseve, turizmit dhe aktiviteteve të tjera në këtë rajon të pasur.
Në disa pamje të publikuara, rajoni shihet i mbushur me ujë dhe shtëpitë janë të vërshuara.
Më shumë se 15.000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Një pjesë e madhe kanë mbetur pa rrymë dhe me pak furnizime ushqimore.
“Jam shumë i lumtur këtu… por ndihem keq”, ka thënë 74-vjeçarja Gabriella Valenti për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Ndoshta jam në mesin e personave më të lumtur… ende kam shtëpi, por ka njerëz që kanë humbur gjithçka”.
Bonaccini ka thënë se rreth 500 rrugë janë dëmtuar ose shkatërruar.
Meteorologët kanë thënë se shirat e rrëmbyeshëm kanë pasuar një periudhë të thatësisë së madhe, çka e ka zvogëluar kapacitetin e tokës për të thithur shpejt ujin. /REL