Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e nderuar që është përfaqësuesja e parë e Kosovës që ka vizituar Kosta Rikën.
Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka treguar për takimin e saj me presidentin e Kosta Rikës, Rodrigo Chaves, në kuadër të vizitës së saj në këtë vend.
“Kisha nderin e veçantë që si përfaqësuesja e parë e popullit të Kosovës që viziton Kosta Rikën. Populli i Kosovës i është gjithmonë mirënjohës Kosta Rikës që njohën pavarësinë tonë qysh në ditën e parë të shpalljes, më 17 shkurt, pikërisht kur Republika e Kosovës filloi kapitullin e saj të ri si një shtet i pavarur e sovran”, ka shkruar Osmani.
Gjatë takimit janë diskutuar marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve dhe mundësitë më të mira për të thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke përfshirë ekonominë dhe tregtinë dhe si dhe politikën e jashtme.
“Me Presidentin Chaves u pajtuam që t’i çojmë marrëdhëniet tona të shkëlqyera bilaterale në lartësi të reja, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe rritjen e interaksionit ekonomik e tregtar”, ka shkruar Osmani.
Po ashtu, Osmani ia ka përcjellur urime më të mira presidentit Chaves për marrjen e përgjegjësive së detyrës së tij të re, udhëheqjes së popullit të Kosta Rikës drejt një të ardhmeje të begatë e të sigurt.
Ndryshe, Osmani në kuadër të vizitës së saj në Kosta Rika është takuar të dielën, me Uzra Zeya, Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit, Joe Biden.
Me nënsekretaren Zeya, Osmani ka biseduar për progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA.
“Osmani ka folur për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat”, thuhej në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes.
E para e vendit ka theksuar se Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët e saj në mbrojtjen e vlerave demokratike.
Gjatë vizitës zyrtare në Panama dhe vizitës aktuale në Kosta Rika, Osmani po realizon një sërë aktivitetesh për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet miqësore me shtetet mike në Amerikën Latine, si dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën e 4 majit, ka udhëtuar fillimisht në Panama, për vizitë zyrtare në këtë shtet, për të vazhduar pastaj vizitën zyrtare në Kosta Rikë.
Presidentja Osmani takohet me Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Uzra Zeya