Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2023”.
Në një postim në Twitter, Hovenier ka thënë se kjo është përpjekja më ambicioze që Forca e Sigurisë së Kosovës ka ndërmarrë deri më tani.
“I lumtur që shoh mbi 1350 pjesëtarë të personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke marrë pjesë në Defender Europe 2023 nga e udhëhequr nga ushtria amerikane si vend pritës dhe në 3 vende të tjera. Ky ushtrim është përpjekja më ambicioze që FSK-ja ka ndërmarrë deri më sot”, shkroi ambasadori amerikan.
Happy to see over 1350 personnel from the Kosovo Security Force taking part in the @USArmy-led Defender Europe 23 as a host country & in 3 other countries. This exercise is the most ambitious endeavor that the KSF has undertaken to date. #DefenderEurope #StrongerTogether pic.twitter.com/Jnvab4Gz15
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 21, 2023
Hovenier, gjatë fjalës së tij kishte thënë se stërvitjet kanë për qëllim edhe shfaqjen e përkushtimit të aleatëve dhe “partnerëve evropianë për të përmirësuar shkallën, kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë e ushtrive të tyre”.
Ndryshe, nga e diela e 21 majit e deri më dy qershor, Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023” [Mbrojtësi i Evropës 2023], që do të mbahet në Babaj të Bokës të Gjakovës. Ceremonia e hapjes u mbajt të dielën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Mbi 1.300 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake, në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe të vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova do të jetë vendi i katërt, me më së shumti ushtarakë që do të marrin pjesë në këtë stërvitje, në mesin e 25 vendeve pjesëmarrëse.