Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar një nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Myrtë Zeneli.
Në po të njëjtën ditë, u përjetësua edhe Arben Haliti, emrin e të cilit e mbajti Brigada 112 e ZO të Drenicës.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se “sakrifica e tyre është udhërrëfyesi më i mirë për ne, në angazhimet tona për shtetin siç e ëndërruan ata”.
“Vatrat e Grabanicës, Dollovës, Kpuzit dhe Bokshiqit, ishin në front të luftës kundër armikut. 25 vjet më parë trimat e UÇK-së nga këto anë, zhvilluan betejë të lavdishme, e cila zgjati për tri ditë me radhë. Sot, me krenari kujtuam dhe nderuam të rënët, që ranë heroikisht në këtë betejë”.
“Në atë ditë, u përjetësua njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, Myrtë Zeneli, emrin e të cilit me krenari në fitore të njëpasnjëshme nëpër beteja do ta mbante Brigada 132 e ZO të Dukagjinit, si dhe bashkëluftëtarët Faruk Elezaj, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina.Bashkë me miq e bashkëluftëtarë morëm pjesë në zbulimin e shtatorës së heroit, Faruk Elezaj, ku sot u përjetësua në bronz në qytetin e Klinës, me ç’rast theksuam kontributin e tij për lirinë e Kosovë”, shkroi ai.