LDK-ja shënon 33-vjetorin e themelimit në Zvicër, Abdixhiku: Të rreshtohemi prapa një ideje që kërkon angazhim monumental

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve që nga ditët e para dhe orët më të rënda të vendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar në Cyrih, për të shënuar 33-vjetorin e themelimit të degës së kësaj partie në Zvicër.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë thirrje për bashkim e rreshtim prapa një ideje që kërkon angazhim monumental.

“Ky mesazh le të jetë një thirrje për çdo rugovist, çdo të djathtë, çdo patriot në Kosovë e në mërgatë. Le të bëhemi bashkë; le t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit; të gjitha regjionet, të gjithë brezat, të gjitha anët, le të rreshtohemi prapa një ideje e një ëndrre që sot kërkon angazhimin tonë monumental”, ka shkruar ai.

“Le të ndërtojmë shtëpinë tonë demokratike, lidhjen tonë politike, Lidhjen tonë Demokratike. Le t’i japim vetes një organizim politik si asnjëherë më parë, e Kosovës, gjeneratave të tashme e të ardhme, shtetin që e kemi ëndërruar gjithherë”, ka vazhduar Abdixhiku.

Kryetari Abdixhiku në fjalën e tij ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve që nga ditët e para dhe orët më të rënda të vendit.

Ai tha se 33 vjet më parë, kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës si rezultat i thirrjes për reflektim ndaj vuajtjeve e përpjekjeve historike të popullit tonë, ku ishin renditur veprimtarë të shquar të kohës të cilëve iu printe presidenti Rugova, iu bashkuan edhe shqiptarët në diasporë, të cilët u bënë shtyllë historike e çdo procesi zhvillimor në Kosovë.

Kryetari Abdixhiku duke folur për proceset e rëndësishme të orëve të rënda për vendin, foli edhe për ndihmën e madhe dhe të rëndësishme që bashkatdhetarët tanë e dhanë në vazhdimësi.

Ai tha se mërgata ishte burim i pashtershëm organizativ, financiar e logjistik; ndihmuan shkollat shqipe, mësuesit, mjekët dhe iu bashkuan edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke përmendur, Agim Ramadanin, Sali Çekajn, e shumë burra e gra, që lanë jetën e mirë në mërgim, për aktin më të lartë njerëzor, flijimin për atdhe e për liri.

“Angazhimi i juaj, gjatë viteve të 90-ta, është shembull mobilizimi e ideali. Për këtë angazhim, Kosova, atdheu i juaj, gjeneratat e sotme e të ardhme që do të vijnë; do të jenë mirënjohës përherë. Asnjë mërgatë, e asnjë vendi tjetër – në gjithë historinë moderne të kontinentit tonë, nuk mund të arrijë standardin e venë nga ju”, ka thënë kryetari Abdixhiku.

Abdixhiku duke folur për rrugëtimin historik të LDK-së dhe të vetë Kosovës ka thënë: “teksa shënojmë këtë rrugëtim historik, e kemi të qartë para vetës madhështinë e këtij organizmi politik”.

“Një rrugëtim që as nuk mund të përsëritet e as të arrihet nga askush. Një rrugëtim që solli lirinë, pavarësinë dhe vet demokracinë. Në këtë rrugëtim tonin historik, gjejmë dhe vogëlsinë e kundërshtarëve historik – kundërshtarë të vjetër e të rinj pa dallim – që s’reshtin e që s’pushojnë së përbalturi lëvizjen më të madhe të shqiptarëve të Kosovës në gjithë historinë. Këtë përbaltje të tyre duhet ta kapërcejmë, jo duke u bërë si ta, sepse nuk jemi si ta, por duke gjetur e rigjetur njëri-tjetrin e duke ruajtur origjinalitetin tonë identitar e veprues”.

Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi për gjithë kontributin e bashkatdhetarëve tanë në Zvicër për punën, angazhimin dhe gjithë kontributin historik që nga dita e parë deri te kjo e sotmja, kryetari Abdixhiku ndau Dekoratën më të lartë që e jep Lidhja Demokratike e Kosovës, Dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”, për Degën e LDK-së në Zvicër.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika