Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e së Kosovës, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në takimin e 27 ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi i nivelit të lartë mbahet në Bruksel në margjinat e mbledhjes së Këshillit për Politikë të Jashtme të BE-së, të kryesuar nga përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.
Në këtë takim, pritet të diskutohet bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në fushat e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, veçanërisht në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë.
Siç ka njoftuar MPJD-ja, në ftesën për kryediplomaten Gërvalla, përfaqësuesi Borrell ka theksuar se për BE-në, Ballkani Perëndimor është partneri më i afërt, me të cilin, ndajnë lidhje të fuqishme politike, ekonomike, të sigurisë dhe gjeografike dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe homologëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, pritet të diskutohen edhe zhvillimet e fundit në rajon.
Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian, temat kryesore që do të jenë në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende t’i kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.