Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka akuzuar partitë opozitare se qëllimshëm po e bllokojnë një projekt që kap vlerën e mbi 80 milionë eurove.
Murati ka shkruar se për marrëveshje ndërkombëtare nevojiten 80 vota në Kuvend.
Njëri nga projektet, sipas tij, është edhe ai për ngrohjen qendrore solare, që ka synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese.
“Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita. Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare. Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve të tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes”, ka thënë ai.
Konkretisht, sipas Muratit, “projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MW gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet ‘Arbëri’, ‘Tophane’, ‘Mat’ e ‘Qendër’”.
Shumicën e financimit të projektit mbi 80 milionësh ai ka thënë se do ta bëjë BE-ja dhe Qeveria e Gjermanisë.
Tutje, ai ka thënë se “kundërshtimi i këtij projekti nga opozita është përtej çdo logjike”.
Ministri i Financave tha se ka edhe marrëveshje të tjera që presin të votohen nga Kuvendi i Kosovës e që nevojiten 80 vota.
“Ka edhe marrëveshje tjera të ngjashme, siç është ajo për nënstacionet e KOSTT, në vlerë prej 25.5 milionë euro (plus 9 milionë euro tjera grant ne pritje), apo marrëveshja me OFID në vlerë 40 milionë USD, që po ashtu presin për dritën e gjelbër të Kuvendit. Pra, janë mbi 150 milionë euro në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi”, ka thënë ai.
Murati është shprehur se ka mënyra të tjera të të bërit opozitë “Mirëpo, bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do të duhej të ishte njëra nga to”.
Ai ka kërkuar nga deputetët e opozitës që t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme për Kosovën.