Ka rreth pesë muaj që gjykimi për vrasjen makabre të Marigona Osmanit është ndërprerë.
Procesi, pas gjithë kësaj kohe pritet të nisë në fillim të muajit të ardhshëm. Kjo vonesë disa mujore, u shkaktua për arsye të ekzaminimit psikiatrik, që iu bë të akuzuarit kryesore për këtë vrasje, Dardan Krivaqës.
Raporti, i realizuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, sipas të cilit gjendja mendore e psikike e të pandehurit ka qenë në rregull, do të prezantohet edhe në seancat e ardhshme që pritet të mbahen në Gjykatën Themelore të Ferizajt, pasi që tashmë zyra e gjyqtarit të çështjes e ka pranuar këtë raport.
“Ju njoftoj se seanca gjyqësore ndaj të dyshuarve të lartcekur është caktuar më datë 1 qershor 2023, me fillim në ora 10:00, e cila do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj. Ndërkaq, sa i përket përgjigjeve shtesë, ju njoftoj se raporti i ekspertizes për rastin në fjalë është pranuar në zyren e gjyqtarit të çështjes dhe shqyrtimi gjyqësor është në fazën e paraqitjes së provave material dhe si e tillë çdo përgjigje tjeter rrethë kësaj çështje varet nga rrjedha e shqyrtimeve në vazhdim”, njofton Gjykata Themelore në Ferizaj.
Avokati i Krivaqës, ka thënë se nuk mund të prononcohet për media, pasi që i njëjti nuk ka autorizim, sepse është i caktuar vetëm sipas detyrës zyrtare, derisa realizimin e kësaj ekseprtize që nga fillimi e kishin kundërshtuar familjarët e viktimës.
Ata kishin deklaruar se gjykata nuk do duhej të aprovonte një gjë të tillë, pasi që sipas tyre kjo po bëhej vetëm për tu shfajësuar i njëjti.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se para se të aprovohet një gjë e tillë, duhet të bëhet vlerësimi nëse një provë e tillë është relevante, dhe se trupi gjykues asesi nuk duhet të lejojë të keqpërdoret një e drejtë e tillë.
Gzim Shala, hulumtues nga IKD ka thënë se “Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ka përcaktuar se nëse në kohën e kryerjes së veprës penale personi ka qenë në përgjegjësi esencialisht të zvogëluar, ai është penalisht përgjegjës, mirëpo dënimi ndaj tij, do të zbutet. Për këtë arsye, në secilin rast mbrojtja mund të pretendoj se një person i caktuar në momentin e kryerjes së veprës penale, ka qenë me përgjegjësi esencialisht të zvogëluar, apo pa përgjegjësi fare, dhe për këtë në secilin rast duhet të vlerësohet nëse një provë e tillë është relevante apo jo”.
Përvec Dardan Krivaqës, për dhunimin deri në vdekje të 18 vjecares nga Ferizaj, në gusht të vitit 2021, është edhe shoku i tij, Arbër Sejdiu.
Edhe në të kaluarën në rastet e vrasjeve të grave, avokatët mbrojtës kishin kërkuar ekzaminim psikiatrik, për të pandehurit.