Vetëm javën që e lamë janë regjistruar dy raste kur qytetarët i kanë drejtuar armën Policisë së Kosovës. Por shqetësues mbetet numri i armëve që janë në duart e qytetarëve.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në duart e qytetarëve janë rreth 250.000 armë ilegale. Bazuar në këtë shifër, i bie që çdo i shtati qytetar potencialisht mund të ketë një armë pa leje.
Sipas MPB-së, nga hulumtimi i fundit janë rreth 100.000 armë ilegale më pak. Në kohën e hulumtimit të cilit i referohen, kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale. Deri në vitin 2010 sipas MBP-së, rreth 35.000 armë janë regjistruar në kohën e administratës së UNMIK-ut.
Në pesë vitet e fundit sipas të dhënave zyrtare, Policia e Kosovës ka konfiskuar 6.538 armë pa leje. Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti, në komisionin për Siguri dhe Mbrojtje ka deklaruar se me ligjet e Kosovës janë rreth 37 mijë armë të legalizuara.
Në vitin 2017, me qëllim të legalizimit të armëve, ishte miratuar Ligji për legalizimin dhe dorëzimin e armëve.
Sipas MPB-së gjatë kësaj periudhe janë dorëzuar 2000 kërkesa për legalizim. Numri kaq i vogël i kërkesave për legalizim të armëve sipas njohësve të fushës së sigurisë, tregon se kjo strategji nuk ka funksionuar.
Drizan Shala, thotë se në mënyrë që të rritet numri i armëve të legalizuara duhet të ndryshohet stretegjia në raport me qytetarët. “Të mos ketë çështje shumë burokratike, por të krijohet një aministi 100% sa i përket të gjitha armëve me të cilat nuk është shkaktuar lëndimi në njerëz. Pra nga të cilat nuk janë lënduar qytetarët”, u shpreh Shala.
Sipas tij numri i madh i armëve pa leje po ndikon që të ketë shtim të numrit të incidenteve ku po përdoren armët e zjarrit. Në mënyrë që të reduktohet kjo dukuri, ai kërkon që për armë-mbajtje pa leje të ketë dënime më rigoroze.
Sa janë të rrezikshme armët, tregojnë instruktorët e armëve të cilët menaxhojnë edhe poligon të gjuajtjes.
Osmani Hajrizi, tregon se trajnimet teorike dhe praktike janë shumë të rëndësishme në mënyrë që kandidatët të përvetësojnë aftësitë për përdorim.
“Ne jemi dëshmitarë se prej që kanë filluar trajnimet që nga viti 2012 prej kur është në zbatim ligji për armët, incidentet e personave që posedojnë leje për armë faktikisht janë të minimizuara. Fatkeqësisht incidentet po ndodhin me personat të cilët zakonisht nuk posedojnë armë me leje”, tregoi Hajrizi.
Përpos kufizimit të llojeve të armëve ndër to armët automatike, ligji për armët kërkon disa kritere në mënyrë që një qytetar të pajiset me leje për armë. Aplikuesi duhet të jetë mbi moshën 21 vjeçare, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos ketë probleme me ligjin, të mos paraqesë rrezik për rendin dhe sigurinë publike. Po ashtu, kusht mbetet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.