Seanca e paraparë për të mërkurën në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, është anuluar.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku thuhet se gjykimi do të vazhdojë më 12 qershor.
“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të ZPS-së, gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit përfundoi për këtë javë. Gjykimi do të rinis të hënën, më 12 qershor, në orën 09:00, ndërsa seanca e caktuar për nesër (më 24 maj) anulohet” thuhet në njoftimin e Speciales.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.
Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.
Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale