Emërimin e Luljeta Aliut, si anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka cilësuar si tentim të VV-së për kapjen e mediave të lira.
“Mësymja e Vetëvendosjes për t’i kapur mediat e lira dhe veçmas RTK-në si transmetues publik, pas Bordit e Redaksisë, u kompletua sot në Kuvend me emërimin e Luljeta Aliut, një militanteje politike të Lëvizjes Vetëvendosje, si anëtare të Komisionit të Pavarur për Media”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se një veprim i tillë tregon simptomën e parë të pushtetit, i cili frikësohet nga të bëmat e veta.
“Kapja e mediave është simptoma e parë dhe më domethënëse e një pushteti të korruptuar, që frikësohet nga të bëmat e tij, të cilat kërkon t’i mbajë nën kontroll e jashtë vëmendjes së qytetarëve. Krejt dhe zhdrejt, kundër fjalës së lirë, në mbrojtje të korrupsionit qeveritar”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, edhe Qendra Evropiane për Lirinë e Medias (ECMPF) janë shprehur të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Luljeta Aliu-Krasniqit si anëtare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).
Në reagimin e tyre thuhet se Aliu e ka përkrahur publikisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e saj, si rrjedhojë, sipas tyre, ajo nuk mund të jetë e pavarur.