24 vjetori i vrasjes së heronjve Ilir Konushevci e Hazir Mala

Sot është shënuar 24 vjetori i vrasjes së “Mërgimit”, furnitorit kryesor të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe mjekut tropojan, Hazir Mala

Të hënën e 9 majit, mbushen 24 vjet nga vrasja e Ilir Konushevcit, njëri ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, dhe mjekut, Hazir Mala.

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së tyre, do të mbahen homazhe te varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” në Prishtinë, në ora 11:00. Të pranishëm do të jenë zyrtarë të institucioneve, bashkëluftëtarë të heronjve e familjarë.

Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, kishin themeluar grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë në hije as strategjinë luftarake.

Ky grup, në vitin 1993, kishte rënë në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla në mënyrën e organizimit, u gjet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.

Njësiti “Shqiponjat“ pranoi t’i ndihmojë në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”, një bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

Në qershor të vitit 1996 ky njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë të cilën e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin, pas vrasjes së Luan Haradinajt.

Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani erdhën disa herë në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit, asgjë nuk ishte e njëjtë.

Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

Pas vdekjes së Ardianit, Iliri ngarkohet nga shokët me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë.

Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi tridhjetë herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm, nga armët e brezit e deri te armatimi kundërtank. Përpos kësaj, ai punoi rreth furnizimit me armatim, kontribuoi shumë edhe në sjelljen e eprorëve profesionistë në radhët e luftëtarëve të lirisë.

U vra në mëngjesin e hershëm të 9 majit më 1998, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin qendror të saj.

Ilir Konushevci, i njohur me pseudonimin “Mërgimi”, ishte furnitori kryesor i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 24- vjetorin e rënies, ka përkujtuar heroin Ilir Konushevci dhe mjekun tropojan, dëshmorin Hazir Mala.

Osmani ka thënë se konsistenca në luftën për liri ishte virtyt i Ilir Konushevcit.

“Liria dhe Iliri janë një. Konsistenca në luftën për liri ishte virtyt i Ilirit. Idealizmi e bëri që përpjekjes për lirinë e vendit të mos i ndahet deri në fund të jetës, duke u bërë hero i Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka shtuar se sot e kujtojmë me respekt figurën e njeriut të radhëve të para të UÇK-së, i cili krahas bashkëluftëtarëve sikurse Hazir Mala, synimin e brezave për liri e shtet e bën realitet.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, të hënën kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” në Prishtinë.

Kryeparlamentari Konufca theksoi se heronjtë, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, 24 vite më parë ranë heroikisht në angazhimin dhe kontributin e drejtpërdrejtë për lirën dhe çlirimin e Kosovës.

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika