Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, të enjten do ta vizitojë Kosovën dhe do të takohet me udhëheqësit e institucioneve.
Ndërsa, takimi me presidenten e Kosovës, Vjosën Osmanin, do të nisë nga ora 09:00 dhe pastaj do të japin deklaratë për media.
Komisionari do të takojë kryeministrin Albin Kurti në orën 10:05, ndërsa një orë më vonë do të pritet nga kryeparlamentari Glauk Konjufca. Varhelyi do të takohet edhe me opozitën dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
“Këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e KE.
Gjatë kësaj vizite, Varhelyi do të marrë pjesë në lansimin e Programit për Çështje të Brendshme BE-Kosovë, për forcimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trivjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila është në fuqi që nga 1 prilli 2016.
Komisioni do të raportojë sërish për progresin e Kosovës në rrugën e saj evropiane në Paketën e zgjerimit 2023, e cila do të dalë në vjeshtë.