Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se Kosova qëndron më së keqi në rajon sa i përket pagës së ulët mesatare në rajon dhe sipas tij kjo mund të ndikojë në ikjen masive të punëtorëve.
Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se për ndryshim të kësaj gjendjeje, Qeveria e Kosovës dhe ministri i Financave Hekuran Murati “nuk kanë ndërmarrë asnjë masë”.
“Më së keqi në rajon në mesataren e pagave, rrezikojmë ikje masive të punëtorëve. Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, po diskutohet për rritjen e pagës mesatare në 900 euro deri në prillin e vitit 2024. Lëvizje të ngjashme kanë marrë edhe vendet e tjera të rajonit. Në krahasim me vitin 2015, kur Kosova kishte pagën mesatare 444 euro, Maqedonia e Veriut – 504 euro, Serbia – 537 euro, Mali i Zi – 726 euro dhe Shqipëria 259 euro. Aktualisht, paga mesatare në rajon është: Kosova 504 euro, apo rritje prej 60 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro apo rritje prej 201 euro; Serbia – 763 euro, apo 226 euro, Mali i Zi – 792 euro apo 66 euro dhe Shqipëria – 900 euro, apo 641 euro”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, përderisa këta numra tregojnë për rritjen e pagës mesatare në rajon, Qeveria e Kosovës dhe ministri Murati, përveç koeficientit të përcaktuar 105 euro, “nuk ka ndërmarrë asnjë masë’.
Ai thotë se me urgjencë duhet të shqyrtohet rritja e koeficientit në 129 euro në administratë publike dhe “të merren masa të shpejta për pagën minimale sipas amendamentit tonë që e kemi propozuar në Komisionin për Buxhet”.
“Në rast se ne presim, e që liberalizimi po ndodhë në një periudhë kur vendet evropiane, në veçanti Gjermania, ka rritur kontingjentin nga Ballkani Perëndimor, rrezikojmë që vitet pasuese të jenë goditje e rëndë për ekonominë tonë, në veçanti për punëtorët. Veproni mos fleni se shkuam poshtë”, shtoi ai.