Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të enjten se me betimin e kryetarëve të rinj në komunat në veri të Kosovës, është zyrtarizuar pushtimi i katër komunave.
“Pushtimi nuk ka qenë kurrë situatë e përhershme në histori, andaj nuk do të jetë as në katër komunat në veri të Kosovës dhe do të përfundojë së shpejti, megjithatë, populli serb, më shumë se pushtimin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, do ta mbajë mend mënyrën e turpshme se si demokracitë e rreme e kanë dhënë dritën e gjelbër për diçka të tillë”, ka thënë Petkoviq.
Kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, të gjithë shqiptarë, janë betuar më 19 dhe 25 maj.
Komunat në veri, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, janë të banuara me shumicë serbe.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa nënkryetare e komunës është Katarina Agjançiq nga komuniteti serb.
Krytari i ri i Zveçanit është Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe i Leposaviqit, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton REL.
Hetemi e ka emëruar Dragana Milletiqin si nënkryetare, nga radhët e komunitetit serb. Kryetar i Zubin Potokut është Izmir Zeqiri, po ashtu, nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Ndoshta kurrë në historinë e demokracisë nuk ka pasur zgjedhje me një dalje kaq të parëndësishme”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.
Ai ka thënë se “serbët janë ata që duhet të vendosin për fatin e tyre kombëtar”.
Petkoviq ka reaguar ngjashëm edhe për betimin e Atiqit në Mitrovicë të Veriut, më 19 maj.
Atiq është i vetmi prej katër kryetarëve që është betuar në ndërtesën e komunës.
Tre të tjerët janë betuar të enjten në “ndërtesa publike”, kryesisht në fshatra të banuara me popullatë shqiptare.
Problemi i shfrytëzimit të ndërtesave komunale qëndron te fakti se ato funksionojnë nën sistemin e Serbisë dhe kryetarët e rinj nuk kanë qasje në to.
Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë mbajtur më 23 prill, pas dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve.
Kjo parti gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ajo ka thënë se nuk e pranon rezultatin zgjedhor. Dalja në zgjedhjet e prillit ka qenë 3.47 për qind.