Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pas takimit me homologun nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se pati një diskutim me të për zhvillimet në Kosovë, Evropë dhe në botë, po ashtu edhe për rolin që OSBE-ja ka sot dhe që ka pasur në Kosovë gjatë së kaluarës.
“E falënderova për të gjithë kontributin që OSBE-ja ka dhënë në të kaluarën, në adresimin e temave të ndryshme që i ndihmojnë një Kosove më demokratike, që për të gjithë qytetarët e saj bëhet më e dëshiruar. E falënderova për angazhimin e tij personal në zgjidhjen e sfidave evropiane, kur ka marrë kryesimin e OSBE-së nuk është momenti më i mirë pasi Evropa gjendet në luftë, Rusia vazhdon agresionin e saj ndaj Ukrainës”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.
Tutje, diplomatja Gërvalla ka thënë se e ka falënderuar Osmanin për bashkëpunimin shumë të mirë, teksa janë pajtuar që të ketë thellim të bashkëpunimit edhe në shumë fusha të tjera.
“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha, u pajtuam që kemi nevojë që të dy qeveritë kemi nevojë të punojmë, jo vetëm në implementimin e marrëveshjeve, por gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit, Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të jetë rajon konflikti, por është rajon i fqinjve që bashkëpunojë në baza serioze që të kenë rezultate”, ka vijuar ajo.
Tutje, Gërvalla ka thënë se me Osmanin kanë diskutuar se duhet të bëhet implementimi i marrëveshjeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit.
“E falënderova gjithashtu për rolin e tij si kryesues të OSBE-së në hapjen e dialogut dhe temat për temat që janë të rëndësishme për paqen afatgjate. Implementimi i marrëveshjeve që rrjedhin nga procesi i Berlinit, të dy u pajtuam që të gjitha këto shtete që kanë nënshkruar këto marrëveshje do të ecin përpara me implementimin”.
Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.