Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në ambientet e komunave.
Me anë të një komunikate për media, bëhet e ditur se Policia e Kosovës po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë.
“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftim.
Kryetarit të ri të komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirit, i është ndaluar hyrja në objektin e komunës. Ekipi i RTV Dukagjinit që ishte në vend të ngjarjes, tha se bllokimin e kishin bërë disa persona.
Në pamje shihen se para objektit qëndrojnë dhjetra qytetarë, të cilët besohet se janë nga komuniteti serb.
Pak çaste më vonë, ishte lëshuar edhe alarmi i cili në shumicën e kohës kërkon mobilizim të komunitetit serb.
Përveç Zubin Potokut, alarmi është lëshuar edhe në komunat e tjera, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut.