Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tashmë është kryesues i OSBE-së.
Kurti e falënderoi OSBE-në për kontributin që ka dhënë, siç tha ai, për demokratizimin në Kosovë, për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve.
“Jemi shumë të lumtur të konstatojmë që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshëm po pasohen edhe me bashkëpunim, i cili rritet. Duke pasur parasysh që këtu jeni në cilësinë e OSBE-së, ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtat e njeriut dhe të sigurisë që janë vlerat themelore që ne i ndajmë. Me këtë rast, dua t’ju falënderoj për kontributin që OSBE e ka dhënë për demokratizimi në Kosovë dhe për sigurinë e vendit tonë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet”, ka thënë Kurti.
Tutje, Osmani tha se për 20 vjet Kosova dhe OSBE-ja kanë krijuar shembuj të mirë të bashkëpunimit.
E që sipas tij, kanë ndikuar në demokratizimin e shoqërisë, qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive.
“Faleminderit shumë për mundësinë që të kemi këtë takim sot. Fillimisht ju falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë që kemi pasur 20 vitet e fundit ndërmjet institucioneve të OSBE dhe institucioneve të Kosovës, që kanë krijuar aq shembuj të mirë të këtij bashkëpunimi e që drejtpërdrejt kanë konkdluduar në demokratizimin e shoqërisë, qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive. Sigurisht edhe në përforcimin e sigurisë publike. Jam këtu për t’ju inkurajuar që të vazhdoni këtë bashkëpunim me OSBE-në”, tha ai, shkruan EO.
Ndryshe, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, të premten po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Osmani para takimit me Kurtin është takuar me homologen nga Kosova, Donika Gërvalla, pastaj me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani pret në takim kryediplomatin nga Maqedonia e Veriut