Policia e Kosovës ka hyrë në objektin e komunës së Zveçanit.
Kështu ka raportuar Radio Evropa e Lirë.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Në të katër komunat me shumicë serbe në veri u dëgjuan fillimisht sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë serbë për të kundërshtuar futjen e kryetarëve të rinj në këto objekte.
Po ashtu, ekipi i RTV Dukagjinit ka raportuar se në Zveçan ka pasur edhe përleshje në mes të serbëve të mbledhur dhe Policisë të Kosovës, ku janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.
Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan.