Ekipi i RTV Dukagjinit që ndodhet duke raportuar në veri, ka bërë të ditur se sërish është ndezur alarmi.
Në Zubin Potok sërish janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, teksa gazetarja Dorentina Thaqi ishte duke raportuar.
Dhjetra qytetarë serbë janë mbledhur teksa dëgjoheshin duke kënduar këngë nacionaliste.
Ndërkaq, hyrja e objektit të komunës është e blinduar.
Edhe në Zveçan ka pasur përleshje në mes të serbëve të mbledhur dhe Policisë të Kosovës, ku janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.
Policia e Kosovës njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Të enjten janë betuar kryetarët e komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ndërkaq, sot është lëshuar alarmi në veri, ku para ndërtesave të këtyre komunave janë mbledhur qytetarët serbë për të kundërshtuar futjen e kryetarëve të rinj në këto objekte.