Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon,, në një konferencë për media, e ka ritheksuar se ajo është një nga mbështetëset më të fuqishme të pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.
Por, sipas saj, ajo se çfarë po ndodh në veri të Kosovës nuk është aspak në rregull. Ajo ka thënë se zgjedhjet ishin të ligjshme, por kryetarët e rinj nuk mund të qeverisin me një apo dy për qind të votave.
Ajo ka thënë se ata nuk do të duheshin të hynin në objektet komunale me forcë.
“Ju e dini që unë jam mbështetëse e pavarësisë së Kosovës, mbështes integritetin e Kosovës në tërë territorin e saj. Vizitova veriun, jam shumë brengosur, jo vetëm unë, është situatë shumë e vështirë e tensionuar, shumë njësi speciale, automjete të blinduara janë vendosur në veri. Kryetarët janë zgjedhur në mënyrë të ligjshme, kjo nuk nënkupton që ata kanë fuqi legjitime të hyjnë në këtë objekte dhe këtë ta bëjnë me forcë. Askush nuk mund të qeverisë me 1 apo 2 për qind të votave, situata nuk është e qëndrueshme. Shkova ta shoh se si është gjendja, ajo është larg nga ajo si pasqyrohet nga disa media”, ka thënë ajo.
Tutje, Von Cramon tha se me veprimet e fundit në veri, Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë. Ajo u shpreh se në vend të forcës, Qeveria duhet të përdorë masa të tjera të përafrimit të qytetarëve të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë nga këto manovra në veri, ata duhet ta shtrojnë pyetje vetes nëse kjo është qeverisje e mirë, po flasim për zbatimin e ligjit. A është kjo formë e qeverisjes së mirë që ne dëshirojmë. Duhet të kemi masa për ndërtim të besimit, sepse jo të gjithë janë kriminelë, por ndjehen se etiketohen si kriminelë, jo të gjithë janë kukulla të Beogradit, por ashtu perceptohet. Dialogu është zgjidhja e vetme për të dalë nga situata. I bëjë thirrje Qeverisë të bëjë masa për mirëbesim, të tërhiqen forcat policore dhe të ulen në tavolinë”, ka thënë ajo.
Cramon, tha se institucionet e Kosovës vepruan mençur kur nuk u betuan në objektet e komunës, por jo edhe tani kur njësia speciale qëndron në veri.
“Nëse i keni 8 mijë votues dhe juve ju votoj vetëm një për qind ose më pak atëherë s’di sa do të mund. Mendoj që ka qenë e mençur që mos të mbahet procedura e betimit në objekte të komunave por tani hap pas hapi mund të shkojmë drejtë çfarëdo zgjidhje por kjo që ndodhi nuk ishte në përputhje që të nxirret një paralajmërim nga EULEX e KFORI dhe pastaj e kemi një deklaratë nga Blinken ka qenë më e ashpra se ndonjë herë”, tha ajo.
Eurodeputetja, u shpreh se në veri ka kriminelë, ka individë që kryejnë krime por nuk janë të gjithë ashtu.
“Natyrisht nëse nuk janë paqësor, nëse sulmojnë, duhet mbrojtur nuk ka fare dyshim, unë më shumë vë në dyshim atë se një kryetar komune me pak vota, është zgjidhje afatgjate kur kryetari duhet të mbrohet para qytetarëve të tij. Pyetja apo çështja këtu është nëse hyrja, kërkimi me forcë i qasjes në këto ndërtesa a është zgjidhje e mençur. Çdo kush i ndan fotografitë, pastaj për protestat në Beograd është dhuratë për tabloidet. Ka individë që nuk kanë protestuar në mënyrë paqësore, që kanë qenë të armatosur. Por edhe pyetja a ka mundur të parandalohet, duke mos hyrë aty. Shumica nuk janë kriminelë. Duhet gjetur zgjidhje të mençura”, ka thënë ajo.
Ajo ritheksoi se zgjidhja e vetme është dialogu e jo veprimet aktuale që po i marrin autoritetet kosovare.