Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas dëmtimit të veturave të ekipit të RTV Dukagjinit dhe Kallxo.com, teksa ishin duke raportuar për zhvillimet e fundit në veri.
AGK-ja e ka dënuar këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt të gazetarëve.
“Në videot e publikuar në medie, shihen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs, me simbolin e motos jozyrtare të serbëve ‘Samo sloga Srbina spasava’ (Vetëm uniteti i shpëton serbët), gomat e shpërthyera, si dhe mbulimin e ‘Republika e Kosovës’ në targa. AGK-ja e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”, shkruan AGK në Facebook.
Njëherësh, AGK-ja fton gazetarë për kujdes të shtuar gjatë raportimit nga komunat, në të cilat, janë vendosur protestuesit.
Sot, vetura e ekipit të RTV Dukagjini është dëmtuar në komunën e Leposaviqit dhe Zubin- Potokut, kështu duke u mbushur me mbishkrime nacionaliste nga protestuesit serbë.