Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke komentuar situatën në veri të Kosovës, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “falë veprimeve provokuese dhe sjelljes tmerrësisht të papërgjegjshme, ka shkaktuar pasiguri dhe frikë te serbët, por nuk dëshiron të tërhiqet, pasi ëndërron të jetë Zelenskyy (presidentin i Ukrainës)”.
Sipas botëkuptimi të tij, këto veprime të Kurtit do të sjellin situatë më të rëndë në veri të Kosovës.
“…situata më e vështirë në Kosovë do të vijojë. Diçka që nuk e kemi parë deri më tani, e gjitha kjo falë ‘veprimeve provokuese dhe sjelljes tmerrësisht të papërgjegjshme të Albin Kurtit’. Unë e di se ky (Kurti), i cili shkaktoi gjithçka, nuk dëshiron të tërhiqet, sepse dëshiron dhe ëndërron të jetë një (presidenti ukrainas Vladimir) Zelensky”, ka thënë Vuçiq në një intervistë.
Vuçiq ka theksuar se kishte kontaktuar me disa të dërguar evropianë, të cilët shprehën shqetësimin për situatën e vazhdueshme në Kosovë.
“…kam marrë mesazhe nga disa ambasadorë dhe përfaqësues evropianë që janë shumë të shqetësuar për ngjarjet (në veri të Kosovës), më pyetën se çfarë mendoja, thashë se jam po aq i shqetësuar sa ju dhe shumë më tepër sepse bëhet fjalë për ne”, ka shtuar Vuçiq.