“Situata veçse po tensionohet”.
Kështu ka deklaruar ish – ushtaraku, Hysen Gecaj në lidhje me situatën aktuale në veri.
Gecaj në emisionin “FIVE” ka thënë se nuk duhet ti jepet shkak Serbisë e specifikisht presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që të tensionohet situata më shumë dhe të tërheqet vëmendja e ndërkombëtarëve.
“Pala serbe e ka më të lehtë, pala politike, sepse të gjitha trazirat po i shkakton në territor të Kosovës. Ata nuk kursehen në këtë drejtim, ne nuk duhet që të japim shkas Vuçiqit dhe Serbisë të tensionojë situatën në Kosovë dhe të tërheqë vëmendjen me veriun e po ashtu edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve”, ka thënë Gecaj.
Ai ka thënë se dihet që Serbia ka një agjendë ndërkombëtare me Rusinë dhe për këtë arsye shkaktimi i tensioneve mund t’i japë arsye Vuçiqit edhe më shumë.
“Përderisa ka një agjendë ndërkombëtare drejt Rusisë, atëherë mos të shkaktojmë tensione. Presioni karshi Vuçiqit është i madh edhe nga Rusia edhe nga perëndimi që të përcaktohet në aspektin politik a do të qëndrojë me Rusinë apo Evropën e Perëndimin në përgjithësi”, ka vijuar Gecaj.
Ndryshe, në veri të Kosovës, grupe serbësh lokalë u mblodhën për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Të premten e kaluar, protestuesit serbë u përleshën me Policinë e Kosovës.
Në përgjigje, Vuçiq dha urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se deri në orën 14:00 të së hënës, do të përfundojë dislokimi i plotë i njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë, në përputhje me urdhrin e presidentit, Aleksandër Vuçiq për rritjen e gatishmërisë luftarake.