Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka reaguar pas zhvillimeve dhe tensioneve të fundit në veri të Kosovës, duke thënë se dhuna në këtë pjesë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe njerëzve të tij, ka një skenar.
Sipas saj, synimi i Vuçiqit janë Trepça dhe Ujmani.
Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se Vuçiqi ka për skenar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive mbi pasuritë minerale dhe ujin në veri.
“Dhuna ne veri nga Vuçiqi dhe njerëzit e tij kriminel ka për synim Trepçen dhe Ujmanin, skenari i tij është qe asociacioni te ketë kompetenca ekzekutive mbi pasuritë minerale dhe ujin ne veri. Gjate shtate viteve te negociatave ne Bruksel kur isha kryenegociatore Serbia ka shfaqur vazhdimisht tendenca ndaj këtyre pasurive strategjike dhe gjeopolitike te Kosovës, por nuk i kam lenë ta hapin gojen”, shkroi ajo.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të martën e 30 majit.
Në takim po merr pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq, shkruan Tanjug.
Ky takim ishte paralajmëruar të hënën, ku thuhej se temë e diskutimit do të jetë përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës.