Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim zëvendëssekretarin e përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), z. Charles Fries, i shoqëruar nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
Sipas komunikatës për media nga zyra e presidencës, thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës.
Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve.
“Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, thuhet në njoftim.
Osmani vuri theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme.
Po ashtu, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për integrimin euroatlantik.
“Në veçanti, Presidentja ka informuar Z. Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshinë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së”.
Tutje, zëvendëssekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.