Tre ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë plagosur në përleshjet e dhunshme në mes të protestuesve serbë në veri të vendit.
Incidenti ndodhi gjatë konfrontimeve në mes të ushtarëve të KFOR-it dhe protestuesve serbë të hënën në komunën e Zveçanit.
Sipas një deklarate të KFOR-it për RTV Dukagjini, tre ushtarë, të cilët bënin pjesë në kontingjentin hungarez, kanë pësuar lëndime nga përdorimi i armëve të zjarrit. Megjithatë, nuk raportohet se lëndimet e tyre janë të rrezikshme për jetën.
- Mjekë ushtarakë nga Hungaria udhëtojnë për në Kosovë
- KFOR-i bën thirrje që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejmë i situatës në veri, fton palët të marrin përgjegjësi
Në total, numri i ushtarëve të KFOR-it të plagosur në këtë përleshje është 30, nga të cilët 19 janë nga kontingjenti hungarez dhe 11 nga kontingjenti italian.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka konfirmuar se të plagosurit po marrin kujdes mjekësor dhe se jeta e tyre nuk është në rrezik.
KFOR-i ka vendosur të rrisë praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, për të ulur tensionet dhe rrezikun e përshkallëzimit të situatës. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka shprehur solidaritetin e tij me ushtarët e plagosur dhe familjet e tyre, duke kërkuar prej të dyja palëve të marrin përgjegjësi për përkeqësimin e situatës dhe të përmbahen nga veprimet e dhunshme.
Ndërkohë, KFOR-i do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të lirë për lëvizje për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.